Wednesday, December 21, 2005

Koment rreth librit "Monumenti i Lotit" nga shkrimtari Agim Bacelli

Urime të sinqerta Zonjës Kozeta Zylo për librin me poezi "Monumenti i Lotit"

Agim Bacelli

Dua të them pak fjalë rreth librit me poezi të Kozetës, pa pretenduarë të bëj një kritikë të mirëfilltë letrare. Qëllimi im është që të bëj një prezantim sa më të shkurtër të librit dhe të poetes, për të patur mundësinë e njohjes në vija të përgjithëshme, edhe ata që nuk do të kenë mundësinë t'ju bjerë ky libër i bukur në dorë.

Ka dy lloj njerzish në botë; një lloj janë ata që i nënshtrohen fatit dhe lloji tjetër është ai që e nënshtron fatin dhe e bën atë ta ndjekë nga pas.

Një nga këta tipat e dytë, është poetja Kozeta Zylo. Ajo lindi në Tepelenën e Aliut por synoi Tiranën, qëndrën më të madhe kulturore në Shqipëri, dhe Tirana ishte pak për këtë intelektuale që synonte të "pushtonte" botën, por në atë kohë, Shqipëria ishte e rrethuarë me tela me gjëmba që e ndanin nga e gjithë ajo botë që synonte Kozeta.
Në Tiranë ajo jetoi dhe edukoi brezat e rinj me kulturën dhe shpirtin e saj poetik. Sapo muret me tela u shëmbën, atë e gjejmë të ngjitë shkallët e Kryeqytetit të Botës, New York-ut. Jam i bindur, nëse ajo do të qe lindur në kohën e Perandorisë Romake, ajo do të bëhej qytetare e dalluarë e Romës por pa braktisur kurrë Shqipërinë. Këtë e them me bindje të plotë duke parë tërë aktivitetin e saj patriotik këtu në New York dhe ja tani së fundi duke lexuarë librin e saj "Monumenti i Lotit" i cili më solli tërë Shqipërinë këtu në mërgim.

Kjo është Zonja Kozeta (Këze) Zylo
Poetja shqiptare që koha e bëri të gëdhendë, bashkë me 'skulptorin', "Monumentin e Lotit" atje ku ishin ngritur "Monumentet e Vuojtjeve Shqiptare."

Kozetën e kam njohur që në fillimet e saj në Brooklyn, diku afër "Three Guys From Brooklyn" të cilën ma ka prezantuarë mikja dhe komshija ime e parë në New York; tiransja e pasionuarë pas muzikës, Teuta Grezda e cila nuk jeton më. Teuta që nga ajo ditë, do të më fliste shpesh për Kozetën me një dashuri dhe pasion të veçantë por që shpesh, si e majtë që ishte, do të më thoshte me keqardhje, "gjynah që Kozeta është ekstremiste e djathë!"

Më pas për Kozetën do të më fliste me shumë simpati miku im amerikan John Davis, pastor në Kishën Evangjeliste, "First Evangelical Church" 6501 6th Avenue, Brooklyn, NY 11220. Sot, atje është pastor miku i Kozetës, Mark Rawnsley i cili e quan Kozetën "Grua të Zonjë."

E përmënda këtë kishë pasi kjo kishë që nga viti 1995 e deri më sot ka qënë si një kishë shqiptare ku jemi mbledhur deri mbi 50 familje. Në vitin 1996 John Davis ngriti për herë të parë edhe flamurin shqiptar mes gjashte flamujve të kombeve të tjerë në ballinën e kishës. Atje janë bërë cermonia mortore e Anita Bitrit dhe një përkujtimore në kujtim të Teuta Grezdës dhe shumë mbrëmje festive shqiptare. Në këtë kishë aktivistja kryesore shqiptare ka qënë përherë Zonja Kozeta Zylo dhe bashkëshorti i saj.

Libri me poezi "Monumenti i Lotit"

Para pak ditësh Kozeta më dërgoi librin e saj të parë e të bukur me poezi, "Monumenti i Lotit." Një libër tepër simpatik dhe tërheqës që sapo e shikon nga kapakët. Në Kopertinën e parë me nuanca ngjyrash që i përshtaten shumë titullit ku mbizotëron grija, vjollca, e verdha dhe e kuqja, ravijëzohen dy sy të trishtueshëm por shumë krenarë. Mbi dy sytë është vënë emëri i poetes me gërma të vogëla në ngjyrë të bardhë dhe poshtë, në qëndër, titulli me gërma të mëdha në gjyrë të verdhë limoni, rrethuarë me nga një vijë të hollë portokalli e poshtë tij është shkruarë poezi në ngjyrë të bardhë, në fund të kopertinës është vënë emëri i shtëpisë botuese "albin" në ngjyrë të kuqe në një sfond të vogël të verdhë. Në sfondin e kopertinës duket një monument ngjyrë gri dhe në të janë shkruarë emëra dhe data si në ç'do munument por që janë marrë nga titujt e poezive të Kozetës. Përfundi janë vendosur në rjesht disa karafila dhe dy duar të cilat janë duke e vendosur lulet.
Në kopetrinën e pasme që ka kombinimin e dy ngjyrave, blu dhe lejla, në krye majtas, është fotografia e autores në një pozë që më shumë të jep përshtypjen e një Stari Hollivudian. Në krah të djathtë të fotos dhe poshtë saj është vendosur një biografi e shkurtër e Zonjës Kozeta Zylos.
Libri ka lidhje shumë të mirë gjë të cilën e zotëron vetëm shtypshkronja "Dita 2000" me të cilën bashkëpunon "Albin" pasi ajo shtypshkronjë ka patur një personel të shkëlqyerë të cilët ishin ata puntorë që dikur përgatisnin librat e diktatorit shqiptar.
Arti grafik është bërë nga mjeshtërja Suela Kolpepaj. Libri ka 166 faqe me formatin 13.5 x 20.5 cm Ky libër gjendet në bibliotekën Kombëtare me këtë numur regjistrues katalogu ISBN 99927-51-93-2 dhe me nr.indeksi 821.18-1.
Libri fillon me një mirënjohje të autores drejtuarë të gjithë atyre që e kanë ndihmuarë të botojë këtë vëllim me poezi. Më pas vjen një koment i bukur për poezitë e autores nga z. Tasim Alija.
Libri ka gjashtë kapituj me poezi të ndarë bukur sipas karakterit të poezive gjë që ja shton akoma më shumë vlerat dhe në fund, në kapitullin e shtatë janë vlerësimet e miqve, shokëve dhe të afërmëve të poetes.

Dy fjalë për poezitë

Mua s'më pritej sa ta lexoja dhe për këtë e mora me vehte në punë. I lexova me një frymë brënda ditës të njëqind e dhjetë poezitë, në njëqind e pesëdhjetë e pesë faqet e saj të mbushura plot me vargje lotësh dhe gëzimesh, ashtu siç është dhe vetë jeta e autores e cila duroi për afro 9 vjet pa e parë Shqipërinë dhe të afërmit, miqtë e shokët e saj, të cilëve ju ka kushtuarë vargje plot mall e dashuri si këto të më poshtmet, të përfshira në kapitullin e parë "Ikja e Viteve." Në këtë kapitull gjejmë shumë lot për tërë ata që ikën dhe s'kthehen më pasi poetja, në pamundësi tu hedhë një dorë dhě mbi varrin e tyre, rri e vajton nga larg dhe malli me dhimbjen e mbytin në lot.
...........................................
Qiellin me pikëçuditëse e mëkova
E si lot margaritarë rrëzohen mbi mua
Është lëmimi i mallit për shoqet,
Për ato mësuese që aq shumë i dua.
.................................................

Ndonjëherë koha ikën bosh
Me mendime që tirren kot së koti
Sa pa vlerë të duket vetj
Si ca sende prej qëmoti.(Në emigracion. A.B.)
............................................................

Në kapitullin e dytë që "Titullohet "Polena e Jetës" janë përfshirë poezitë e dashurisë, ndjenjës më të lartë që mban botën në këmbë.
................................................
Puthjet e ëmbëla janë si flutura
Që fluturojnë magjishëm në hapsirën e zemrës
Ndezin gjakun, shtojnë ritmin e jetës
Dhe etshëm thithin burimin e vesës.
................................................

Në kapitullin e tretë "Shqipërinë e kam për jetë" poetja i këndon Shqipërisë, mollës së Migjenit,bujarisë, flamurit,dëshmorëve, Çamërisë, Kosovës dhe gjithë shqiptarëve, etje.
Ndalet pak më shumë me vargje plot lot e mall tek vëndlindja, Tepelena dhe tek njerzit e saj në Shqipëri që gjenden në kapitullin e katërt. Në të pestin i këndon qytetit ku ajo aktualisht jeton dhe punon për të cilin derdh gjithashtu lot pasi dhe New York City u godit rëndë nga terroritët e pa shpirt.
Në kapitullin e gjashtë mbizotëron personifikimi tradicional i autores duke i vënë titullin "Bishti i Qenit" dhe ku thumbon e ironizon ato fenomene negative në shoqërinë e sotme shqiptare por, njëkohësisht edhe ngre lart vlerat e njerëzve të mirë.
Në fund në kaptullin e VII gjenden "Mesazhet Përshëndetëse" të cuilat tregojnë jo vetëm vlerësimin që i bëhet poezisë së Kozetës por edhe dashuria e tyre për autoren simpatike.

Poezitë janë të bukura por për mua, më të bukurat prej tyre janë; "Shqipërinë e kam për jetë," "Loti dhe qeshja", "I vdekur shpirtërisht", " E ftohtë akull", "Adriatiku dhe Atllantiku" dhe më e bukura e të gjithave është "Dëbora e parë në shtëpinë time."

Larmija e madhe e tematikave, në poezitë e këtij libri, i bën ato edhe më simpatike, pamvarsisht nga "lotët" e shumtë që lagin tridhjetë e një vargje, :-) ato nuk janë të gjitha melankolike pasi, nëpër vargje, jo vetëm qahet por edhe gëzohet me tërë forcën e dashurisë njerzore. Metafora e lotit është më e gjetura dhe atë, asnjë lloj tjetër metafore s'mund ta zvëndësonte dot.
Ndryshe nga poezitë e para që pata lexuarë para 6-7 vjetësh, poetja i është larguarë pak personifikimit poetik të cilin këtë radhë e gjejmë kryesisht ne kapitullin e VI, siç e thashë më lart, ku janë poezitë satiro-alegorike dhe tek tuk te ndonjë tjetër në brëndi të librit. Kryesisht poezitë e këtij libri janë të mbushura plot e përplot me simbole të gjetura bukur dhe që shpesh na japin alegori të këndëshme. Po ashtu poetja ka përdorur me shumë vënd krahasimin ku figurat letrare i vë me mjeshtri përballë njëra tjetrës si tek poezia "Pengu im Kosova" etje. Nuk mungojnë as hiperbolat e këndëshme si tek "Monumenti i Lotit" që është tamam një monument lotësh.
...........................
Sa lot është derdhur
Për ty nënokja ime Shqipëri!
Nëqoftëse do të kishim mundësi për ti mbledhur
Me siguri do të krijohej një oqean i ri...
...................................................

Sigurisht që unë kam edhe ndonjë kritikë të vogël për ndonjë nxitim apo harresë që gjithësesi nuk ja prish bukurinë librit, si psh vargu "Të tërhqnin Akil shqiptarin zvarrë," kjo figurë, mendoj unë është e pagjetur pasi Akiln askush nuk e ka tërhequr zvarrë, gjithashtu ai nuk është ndonjë figurë pozitive që të bëhet një krahasim i tillë;

.........................
KGB-ja kishte shtrirë kthetrat
Edhe tek ndonjë shqiptare e rrallë,
Dot s'duronim oktapodin,
Të tërhiqnin Akil shqiptarin zvarrë.

Ose tek dy tre poezi si tek, "U sëmura" dhe "Sytë e mëngjezit," në të cilat ngatërrohen vetët. Ato fillohen në një vetë dhe përfundojnë në një tjetër vetë pa qënë e nevojshme, duke sjellë pak konfuzion!

Sidoqofte nga dy tre të meta të papërfillëshme, poezitë janë origjinale, të ëmbëla dhe të venë në mendime duke u shkrirë me shpirtin e lexuesit të kulturuarë të cilën ka pretenduarë të arrije dhe vet autorja tek "Misioni i vargut tim";

...............................
Do ti gris vargjet e mija
E pastaj do t'i përtyp, ngadalë
Nëse ato nuk janë bërë shpirti juajë
Të dala nga zemëra ime, plot lot e mall.
....................................................

Të falenderoj për këtë dhuratë të bukur e dashur Kozeta. Paç përherë suksese edhe më të mëdha dhe të pafsha përherë në Shqipërinë tonë të dashur!

FUND

0 Comments:

Post a Comment

<< Home