Sunday, December 25, 2005

Artikull nga Z.Halil Rama, rreth libri tim, botuar ne disa gazeta

Monumenti i lotit
nga- Halil RAMA
TIRANE : Në sallën e Muzeut Historik Kombëtar, Tirane, të mbushur plot me shkrimtarë, poetë, studjues dhe dashamirës, kohët e fundit u zhvillua përurimi I librit më të fundit të shkrimtares dhe njëherësh pedagoges së Globe Institute of Technology në Manhattan, Këze (Kozeta) Zylo “Monumenti I lotit”.
Me ngarkesën e një njeriu të ardhur që përtej oqeanit dhe për të sjellë mes bashkëkombasve të vet një tufë me vjersha, që mund të merren më shumë se të tilla, një fjollë dashurie të sinqertë të mbledhur prej vitesh brënda shpirtit, të mbajtur dhe mbrujtur me shumë kujdes dhe delikatesën e diçkaje të thyshme, poetja Zylo , derdhi në këtë takim për të gjithë të pranishmit atë që u quajt nga shumëkush, frymën e dashurisë për atdheun dhe njerëzit e saj të dashur.
Shkrimtari Tasim Alia u ndal që në simbolikën e librit të materializuar përmes titullit Monument Loti, që do ta perifrazonte në një monument dashurie të lindur prej lotit të mallit dhe lotit të dhimbshëm, me dëshirën për t’I parë gjërat e jetës në progress dhe përparim.”Janë lotë shprese të perceptuara nëpërmjet lëvizjeve, largësive halleve dhe brengave të mijra e mijra njerëzve tanë që për një jetë më të mirë gëlojnë nëpër botë, që nga Amerika e largët e deri në vendet tona fqinje.
Poezia e Zonjës Këze është ngjethëse, prekëse duke u kundruar nga këndvështrimi I një njeriu që edhe pse larg , jeton çdo minutë më atdheun praën, me njerëzit e saj. Brengat e mallit, hallet e mbetura përtej largësisë së një oqeani, vijnë dhe shtresohen në dëshirat dhe aspiratat e mëdha të saj për një njeri të dashur dhe të lumtur në kthinën e vet të atdheut. Ajo e gjen këtë pjesëzë të munguar tek njerzit me të cilët jeton, tek studentët shqiptarë në Amerikë, tek Kosovarët e emigruar pës genocidit të dhimbshëm ndër vite.” Ndërsa Pedgogu i Universitetit të Tiranës, dhe njëherësh poeti Sadik Bejko theksoi midis të tjerave se “ Merret vesh që ky libër që kemi sot në duar është libri I një mësueseje, pasi ka brënda dashurinë e një edukatoreje për brezin e ri, por njëherësh ka dhe shqetësimin e saj për jetën e rinisë. Ajo mbart me vete edhe shqetësimin e nënës, edhe atë të gruas, dhe përmbledhas mund të them se janë këto shqetësimet e një patrioteje të denjë për vendin.” Deputetja e Kuvendit të Kosovës, zonja Teuta Hadri, që mori fjalën në këtë takim, tha se ndjehej mirë dhe ngrotë duke gjetur vetën brënda poezive të librit të Kozetës, që për Kosovën dhe luftën e pavarsisë së saj iu kushtonte dhjetra motive dhe poezi të sajat. Libri I Këze Zylos vjen në këtë fund viti si një buqetë lulesh për lexuesin tonë. Ai është një larmi temash dhe motivesh që nga vjershat të mbrujtura me dashurinë për vendlindjen, Mezhgoranin, për njeriun e thjeshtë të punës, për emigrantin dhe deri tek poezi të një karakteri meditative filozofik, për jetën dhe vdekjen, për të mirën dhe të keqen, për triumfin e dashurisë mbi urejtjen etj.
Në këtë takim folen edhe përkthyesi Leonard Mero, tregimtari Andon Andoni si dhe miq dhe të afërm të autores.
Në fjalën e vet botuesi I librit, njëherësh drejtori i shtëpisë botuese Albin, zoti Spiro Dede, vuri theksin në “mbarësinë” botimit të librit, perkujdesjen dhe angazhimin e dhjetra e dhjetra miqve të autores, “që dukej se kishte brënda tij një fat të mirë, ishte një libër I mbarë dhe sigurisht kjo rridhte prej vetë dashurisë dhe dhimbjes së Kozetës për të shprehur përmes tij tërë dashurinë dhe ndjenjën e ngrohtë për njerëzit e saj të një gjaku, për Shqipërinë e dashur.”
Të pranishmit kaluan caste emocionuese në një koktej të organizuar me këtë rast, ku dhe përcillnin autoren e librit për në atdheun e saj të dytë Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku dhe jeton prej mëse dhjetë vjetësh së bashku me bashkëshortin dhe dy vajzat. E rrethuar nga miq dhe bashkëkombas të shumtë dhe dashuria e munguar për atdheun.
Kush është Këze (Kozeta) Zylo
Ka lindur në tepelenë më 12 Mars 1957.
Pas diplomimit në Universitetin e Elbasanit “A. Xhuvani’ në degën Gjuhë letërsi shqipe, punoi deri në 1997 si mësuese në disa shkolla të Tiranës. Si antikomformiste u përfshi në lëvizjen demokratike të viteve nëntëdhjetë dhe deri në vitin 1995 arrin të jetë Sekretare e Përgjithshme e Partisë Demokristiane
Në shkurtin e vitit 1997, emigron në Shtete e Bashkuara të Amerikës ku integrohet në shoqërinë e atjeshme, vijon kualifikimet dhe studimet pasuniversitare dhe emërohet Këshilltare e studentëve në Bramson ORT Colleg (2000-2004)
Krahas angazhimeve si pedagoge sot në Gllobe Institute of Technollogy në Manhattan, shquhet si veprimtare e komunitetit shqiptaro-amerikan, zgjidhet anëtare e këshillit botues të librit dhe zëvendës presidente e e organizatës së gruas “Zëri Ynë” Jeton e martuar me zotin Qemal Zylo dhe dy vajzat , Valbonën dhe Klodianën.

0 Comments:

Post a Comment

<< Home